Kalimi nga arka fiskale në softuer fiskal.
Udhëzues për bizneset që sot lëshojnë kuponë me pajisje elektronike fiskale (PEF) dhe duan të kalojnë në softuer elektronik fiskal (SEF), si AZkont.
Çka ndryshon me SEF
Me softuer elektronik fiskal, kuponi lëshohet nga programi në kompjuter ose në tablet, pa pajisje të veçantë fiskale. Kuponi nënshkruhet në arkë dhe dërgohet te ATK. Kur bie interneti, shitja vazhdon dhe kuponët dërgohen vetë sapo të kthehet lidhja.
Për ta përdorur një SEF, ATK kërkon kodin unik të fiskalizimit. Ky kod merret përmes shërbimit «Kërkesë për Fiskalizim» në sistemin EDI të ATK-së, i cili vlen si për bizneset e reja ashtu edhe për ato që kalojnë nga PEF në SEF.
Katër hapa
Kërkesën te ATK e bëni ju; instalimin dhe trajnimin i bëjmë ne.
-
Kërkesa për fiskalizim në EDI
Kush e bën: Ju
Ju ose kontabilisti juaj bëni «Kërkesë për Fiskalizim» në sistemin EDI të ATK-së dhe merrni kodin unik të fiskalizimit. Pa këtë kod, softueri elektronik fiskal nuk mund të përdoret.
-
Instalimi në dyqan
Kush e bën: Ne
Vijmë në dyqan, e instalojmë AZkont në kompjuter ose në tablet, lidhim printerin dhe skanerin, dhe e aktivizojmë arkën me të dhënat tuaja fiskale.
-
Shitja e parë
Kush e bën: Bashkë
Bëjmë një shitje të vërtetë dhe kontrollojmë që kuponi të dalë i fiskalizuar te ATK.
-
Trajnimi i personelit
Kush e bën: Ne
Personeli mëson shitjen, kthimet dhe mbylljen e ndërrimit. Listën e artikujve mund ta sillni nga Excel.
Çka ju duhet
-
Qasje në EDI
Nga biznesi ose nga kontabilisti juaj, për kërkesën te ATK.
-
Kompjuter ose tablet
Me Windows, macOS, Android dhe iOS.
-
Printer dhe skaner
Printer termik për kuponë dhe, nëse shitni me barkod, skaner. Na tregoni çka keni dhe ju themi a mund të përdoret.
-
Lista e artikujve
Në Excel, nëse e keni. Përndryshe artikujt i shtoni në program.
Pyetjet që na bëhen më shpesh
Çka bëhet me pajisjen e vjetër fiskale?
Pajisja elektronike fiskale ka procedurën e vet te ATK-së. Para se ta ndërroni, pyetni kontabilistin ose ATK-në për hapat që vlejnë për biznesin tuaj. Kalimin e planifikojmë bashkë, që asnjë ditë të mos mbetet pa kupon fiskal.
Kush e bën kërkesën në EDI?
Tatimpaguesi, pra biznesi juaj ose kontabilisti që ka qasje në EDI. Ne ju tregojmë çka duhet plotësuar.
A ndalet shitja gjatë kalimit?
Instalimin e bëjmë në kohën që ju përshtatet dhe e kontrollojmë me një shitje të vërtetë, para se personeli të fillojë punën me AZkont.
Sa kushton?
Licenca jepet për pajisje, me abonim ose me afat licence. Oferta varet nga numri i arkave.
Kush duhet ta përdorë SEF-in?
Sipas nenit 31 të Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026: bizneset që shesin me pakicë ose ofrojnë shërbime në vende të hapura për publikun, si dhe institucionet publike që pranojnë pagesa kesh. Nuk obligohen bizneset që shesin vetëm te biznese të tjera; ato lëshojnë faturë tatimore.
Deri kur duhet të kaloj nga PEF në SEF?
Për bizneset që sot kanë PEF, periudhën e kalimit e cakton Ministri i Financave me vendim të veçantë (neni 50). Bizneset që nuk kishin PEF kur hyri në fuqi udhëzimi kishin 60 ditë për ta instaluar SEF-in. Ndiqni njoftimet e ATK-së ose na pyetni për gjendjen e fundit.
Sa kohë kam për kuponët e lëshuar pa internet?
48 orë nga ndërprerja e lidhjes (neni 44). Brenda këtij afati duhet ta riktheni internetin dhe t’ia dorëzoni ATK-së të gjithë kuponët. AZkont i dërgon vetë sapo kthehet lidhja.
Si e kontrolloj nëse një SEF është i certifikuar?
Në regjistrin publik të ATK-së për softuerët elektronikë fiskalë. AZkont është aty me emrin AZKONT, nr. i SEF 882530661821.
Burimi: ATK, shërbimi «Kërkesë për Fiskalizim» në EDI (korrik 2026); Udhëzimi Administrativ (MF) Nr. 01/2026, nenet 31, 44 dhe 50. Termat shpjegohen te fjalorthi i fiskalizimit.
Planifikoni kalimin me ne.
Na tregoni sa arka keni dhe kur ju përshtatet. Vijmë, e instalojmë AZkont dhe bëjmë shitjen e parë bashkë.